Kushtet e Përdorimit
1. Pranimi i kushteve
Këto kushte rregullojnë përdorimin e platformës Klinika+ (klinika-plus.al), të ofruar nga Vektor Studio, Tiranë, Shqipëri (“ne”). Duke krijuar një llogari klinike ose duke përdorur platformën, klinika ose terapisti i pavarur (“Klinika”) i pranon këto kushte, së bashku me Politikën e Privatësisë. Personi që regjistron klinikën deklaron se ka autoritetin ta përfaqësojë atë.
2. Shërbimi
Klinika+ është një platformë në internet për menaxhimin e klinikave dhe qendrave të zhvillimit: profilet e fëmijëve, terapistët, raportet e seancave, progresi, takimet, detyrat për familjen, menaxhimi i sjelljeve, raportet PDF dhe akses për prindërit.
Klinika+ është mjet administrativ dhe dokumentimi. Nuk është pajisje mjekësore, nuk jep diagnoza dhe nuk zëvendëson gjykimin profesional të terapistit. Vendimet klinike mbeten përgjegjësi e Klinikës dhe e profesionistëve të saj.
3. Llogaritë dhe siguria
- Administratori i Klinikës krijon llogari për terapistët dhe prindërit, të cilët hyjnë me username dhe kod personal.
- Klinika është përgjegjëse për ruajtjen e konfidencialitetit të fjalëkalimeve dhe kodeve, për dhënien e tyre vetëm personave të duhur, dhe për rigjenerimin ose fshirjen e llogarive kur një terapist largohet ose një fëmijë përfundon terapinë.
- Klinika na njofton menjëherë nëse dyshon për përdorim të paautorizuar të një llogarie.
4. Prova falas dhe abonimi
- Çdo klinikë e re ka një periudhë prove falas prej 14 ditësh (1 terapist dhe 2 fëmijë).
- Çdo plan ka kufij për numrin e terapistëve dhe të fëmijëve (Individual: 1 terapist dhe 10 fëmijë; Klinikë: 5 terapistë dhe 30 fëmijë; Klinikë+: sipas marrëveshjes). Kufijtë zbatohen automatikisht nga platforma.
- Planet dhe çmimet e vlefshme publikohen në klinika-plus.al. Pagesa bëhet me transfertë bankare ose mënyra të tjera që ju komunikojmë; pas pagesës Klinika merr një kod aktivizimi që e fut te seksioni “Abonimi”.
- Abonimi nuk rinovohet automatikisht. Para skadimit dërgojmë kujtesa me email.
- Pas skadimit, aksesi në platformë pezullohet derisa të aktivizohet një kod i ri; të dhënat mbeten të ruajtura sipas Politikës së Privatësisë.
- Pagesat e kryera nuk rimbursohen për periudhën e mbetur, përveç kur parashikohet ndryshe me ligj ose me marrëveshje me shkrim.
- Çmimet mund të ndryshojnë për periudhat e ardhshme; ndryshimet njoftohen paraprakisht dhe nuk prekin periudhat e paguara.
5. Përdorimi i lejuar
Një abonim mbulon një klinikë: një subjekt dhe një vend pune. Për disa vendndodhje ose subjekte nevojitet plani Klinikë+ ose një marrëveshje e veçantë. Klinika angazhohet që:
- të regjistrojë vetëm fëmijët që marrin shërbim në atë klinikë dhe terapistët e saj; nuk lejohet mbajtja e të dhënave të fëmijëve ose terapistëve të një qendre tjetër;
- të mos ndajë llogarinë e administratës, kodet e abonimit apo kodet e hyrjes me persona jashtë Klinikës;
- të fusë në platformë vetëm të dhëna për të cilat ka bazë ligjore (p.sh. kontratë terapie dhe/ose pëlqim të prindit/kujdestarit), dhe të informojë prindërit për përdorimin e Klinika+;
- të mos ngarkojë përmbajtje të paligjshme, fyese ose që shkel të drejtat e të tjerëve;
- të mos tentojë të anashkalojë masat e sigurisë, të aksesojë të dhënat e klinikave të tjera, të ngarkojë kod dashakeq ose të mbingarkojë shërbimin;
- të mos e rishesë ose ta vërë platformën në dispozicion të palëve të treta jashtë Klinikës pa marrëveshje me ne.
Ne mund të verifikojmë përdorimin (p.sh. numrin e llogarive dhe të fëmijëve). Në rast shkeljeje, pasi ta kemi njoftuar Klinikën, mund të kërkojmë kalimin në planin e duhur, ta pezullojmë llogarinë ose ta ndërpresim shërbimin.
6. Të dhënat e Klinikës
Të gjitha të dhënat që Klinika fut në platformë mbeten pronë e Klinikës. Ne nuk marrim asnjë të drejtë mbi to përveç asaj që nevojitet për të ofruar, mirëmbajtur dhe mbrojtur shërbimin. Klinika mund të kërkojë në çdo kohë një kopje të të dhënave të saj ose fshirjen e tyre; fshirja e plotë mund të bëhet edhe vetë, nga “⚙️ Llogaria → Fshi klinikën”. Për të shmangur fshirjen pa dashje, kjo kërkon emrin e klinikës dhe fjalëkalimin e administratës, dhe kryhet 7 ditë pas kërkesës. Deri atëherë mund të anulohet, dhe administrata njoftohet me email.
7. Marrëveshja e përpunimit të të dhënave (DPA)
Për të dhënat personale që Klinika fut në platformë, Klinika është kontrolluese dhe Vektor Studio është përpunues, sipas Ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Ky seksion përbën marrëveshjen e përpunimit mes palëve.
7.1 Objekti
Përpunimi ka për qëllim vetëm ofrimin e platformës Klinika+ gjatë kohëzgjatjes së përdorimit. Kategoritë e subjekteve: fëmijët në terapi, prindërit/kujdestarët, terapistët dhe stafi i Klinikës. Kategoritë e të dhënave: të dhëna identifikuese dhe kontakti, të dhëna për zhvillimin dhe shëndetin (kategori të veçanta), shënime klinike, fotografi, video dhe dokumente.
7.2 Detyrimet tona si përpunues
- I përpunojmë të dhënat vetëm sipas udhëzimeve të dokumentuara të Klinikës — këto kushte dhe veprimet që Klinika kryen në platformë — përveç kur ligji na detyron ndryshe (në atë rast e njoftojmë Klinikën, kur lejohet).
- Personat tanë me akses në të dhëna kanë detyrim konfidencialiteti.
- Zbatojmë masat teknike dhe organizative të përshkruara te Politika e Privatësisë (enkriptim, ndarje mes klinikave, akses sipas rolit, kopje rezervë të enkriptuara).
- Angazhojmë nënpërpunues vetëm me detyrime mbrojtjeje të njëjta në thelb; lista aktuale është te Politika e Privatësisë. Për çdo nënpërpunues të ri njoftojmë Klinikën të paktën 30 ditë më parë; Klinika mund të kundërshtojë dhe, nëse nuk gjendet zgjidhje, të ndërpresë përdorimin.
- E ndihmojmë Klinikën t'u përgjigjet kërkesave të subjekteve të të dhënave (akses, korrigjim, fshirje, portabilitet) dhe me vlerësimet e ndikimit kur nevojiten.
- Njoftojmë Klinikën pa vonesë të panevojshme, dhe kur është e mundur brenda 48 orëve, pas marrjes dijeni për një cenim të sigurisë që prek të dhënat e saj, me informacionin e disponueshëm.
- Në përfundim të shërbimit, sipas zgjedhjes së Klinikës, i kthejmë ose i fshijmë të dhënat; kopjet në backup-et e enkriptuara zhduken brenda 90 ditëve.
- Vëmë në dispozicion informacionin e nevojshëm për të provuar përputhshmërinë dhe bashkëpunojmë me kontrolle të arsyeshme, me njoftim paraprak.
7.3 Detyrimet e Klinikës si kontrolluese
- Siguron bazën ligjore për përpunimin dhe informon subjektet e të dhënave (veçanërisht prindërit).
- Fut vetëm të dhënat e nevojshme për qëllimin e terapisë dhe i mban ato të sakta.
- Menaxhon aksesin e stafit të vet dhe heq aksesin kur nuk nevojitet më.
8. Disponueshmëria
Bëjmë çdo përpjekje të arsyeshme që platforma të jetë e disponueshme dhe e sigurt, por nuk garantojmë funksionim të pandërprerë ose pa gabime. Mund të ketë ndërprerje për mirëmbajtje, përditësime ose për shkak të ofruesve të infrastrukturës. Ndërprerjet e planifikuara të gjata i njoftojmë paraprakisht kur është e mundur.
9. Pronësia intelektuale
Platforma, kodi, dizajni, emri dhe logoja Klinika+ i përkasin Vektor Studio. Klinika merr një të drejtë përdorimi jo-ekskluzive dhe të pa-transferueshme gjatë abonimit. Formularët dhe raportet e gjeneruara nga Klinika mund të përdoren lirisht nga Klinika për punën e saj.
10. Kufizimi i përgjegjësisë
Në masën maksimale të lejuar nga ligji, ne nuk mbajmë përgjegjësi për dëme indirekte, humbje fitimi ose humbje të dhënash të shkaktuara nga përdorimi i gabuar i platformës, nga veprime të Klinikës ose të përdoruesve të saj, ose nga ngjarje jashtë kontrollit tonë të arsyeshëm. Përgjegjësia jonë e përgjithshme për çdo pretendim kufizohet në shumën e paguar nga Klinika për shërbimin gjatë 12 muajve para ngjarjes. Këto kufizime nuk zbatohen për dëmet e shkaktuara me dashje ose nga pakujdesi e rëndë, ose kur ligji nuk lejon kufizim.
11. Pezullimi dhe përfundimi
- Klinika mund të ndalojë përdorimin në çdo kohë dhe të fshijë të dhënat e saj.
- Ne mund të pezullojmë ose mbyllim një llogari në rast shkeljeje të rëndë të këtyre kushteve, rreziku për sigurinë e të tjerëve ose mospagese, pas njoftimit kur është e mundur.
- Pas përfundimit, të dhënat trajtohen sipas pikës 7.2 dhe Politikës së Privatësisë.
12. Ndryshimet e kushteve
Mund t'i përditësojmë këto kushte. Ndryshimet e rëndësishme njoftohen me email ose brenda platformës të paktën 30 ditë përpara se të hyjnë në fuqi. Vazhdimi i përdorimit pas kësaj date nënkupton pranimin e tyre; nëse nuk jeni dakord, mund të ndërprisni përdorimin.
13. Ligji i zbatueshëm
Këto kushte rregullohen nga ligjet e Republikës së Shqipërisë. Palët përpiqen t'i zgjidhin mosmarrëveshjet me mirëkuptim; në të kundërt, kompetente janë gjykatat e Tiranës.
14. Kontakti
Vektor Studio — Tiranë, Shqipëri
Email: vektortechstudio@gmail.com
Telefon / WhatsApp: +355 68 200 5440